Bursat europiane u hapën këtë të hënë me rënie të konsiderueshme, pasojë e vendimit të javës së kaluar të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të importit për të gjitha prodhimet.
Nisjen më të vështirë e pati ajo e Frankfurtit, ku vlera e aksioneve ra me 8%.
Rënie e ndjeshme edhe në bursat e tjera europiane, ashtu si edhe në ato aziatike ku rekordin negativ e shënoi ajo e Hong Kongut, ku vlera e aksioneve pësoi humbje më shumë se 13%, më e madhja në 28 vite.
Humbje të mëdha edhe në bursat e Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump megjithatë nuk do t’ia dijë.
Gjatë udhëtimit me avionin presidencial, gazetarëve ua krahasoi tarifat me ilaçet e nevojshme për shërim.
Trump tha se masa e tij nuk kishte për qëllim të shkaktonte kaos në ekonominë globale, por t’i kthente ekonomisë amerikane triliona Dollarë fitime, të cilat sipas tij, ua kanë rrëmbyer me të padrejtë gjithë këto vite, vendet e Bashkimit Europian, Kina, etj.
Megjithatë shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehu gatishmërinë për dialog për heqjen e tarifave.