Përmes një komunikimi online, kryeministri Edi Rama u kërkoi votuesve jashtë vendit që të mos heqin dorë nga shprehja e vullnetit të tyre politik, për herë të parë këtë vit.
“Nuk ju duhet më shtetësia e asnjë vendi tjetër të BE-së, ju mjafton shtetësia shqiptare sepse jeni qytetarë të BE-së.
Është gjynah që mbase keni bërë mundimin për t’u regjistruar, të mos merni mundimin për të votuar.
Ju lutem shumë të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë regjistruar për të më mbështetur mua, PS-në dhe Shqipërinë drejt këtij takimi me historinë.
Të mos lënë pa votuar! Do të lidhemi përsëri me ju për t’ju dhënë më shumë detaje.”
Iu kundërpërgjigj pretendimeve të palës opozitare për të ashtuquajturën vjedhje votash, edhe të diasporës.
“Besoj i keni parë klithmat e bufit të kënetës dhe ushtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga ato salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte që ishin të kapur, nuk e di se si, nga kush.
Drejtuesi im për diasporën ka bërë një sqarim shumë të qartë për këtë, zarfa mund të mbledhësh edhe nga shtëpia jote edhe kur je skllav i bufit, edhe shtëpinë tënde mund ta bësh llogore kënete.
T’i fotografosh në rrugë edhe të thuash ja i bën narko-regjimi.
Po këto nuk i ha njeri. Tani ka mundësi të fokusohemi, një rrugë e dy punë, të shtyjmë Shqipërinë përpara dhe të përshpejtojmë tharjen e kësaj kënete”, ishte thirrja e kryesocialistit.