https://www.facebook.com/reel/948477274469506
Në Armeni nis këtë të hënë takimi i tetë i Komunitetit Politik Europian, një forum që mbledh liderët e kontinentit për të diskutuar mbi sfidat dhe bashkëpunimin në Evropë. Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare mbërriti mbrëmjen e djeshme në Jerevan, në të njëjtën kohë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe kryeministren e Italisë Giorgia Meloni.
Ai u përgjigj: “Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është të ecet përpara me bashkimin e Europës.
Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane.”
Ndërsa sa i takon pyetjes se çfarë mund t’ju ofrojë Unioni vendeve që duan të anëtarësohen, Rama tha se “Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian.
Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë.”
Më pas, Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u mikpritën nga Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.
Samiti i këtij viti zhvillohet nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Evropë” dhe bashkëdrejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.
Në total janë ftuar 48 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipërinë, Kosovën dhe shtete të tjera të rajonit. Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti raportohet se ka mbërritur në Jerevan.

Për herë të parë në këtë format merr pjesë edhe një shtet jashtë Evropës, Kanadaja.
Komuniteti Politik Evropian është mbledhur shtatë herë më parë. Vitin e kaluar samiti u zhvillua në Shqipëri më 16 maj, ndërsa takimi i fundit u mbajt më 2 tetor në Danimarkë. Samiti i radhës është planifikuar të mbahet në Irlandë në nëntor 2026.
