WhatsApp Image 2026 04 14 at 11.03.05 AM

Kryeministri Edi Rama, në Samitin e Diasporës Shqiptare me temë “Përmes rrënjëve lartësohemi”, prezantoi nismën më të re të qeverisë, “Paketën e Maleve”, të cilën e cilësoi si një vendim me vlerë konkrete dhe simbolike për shqiptarët që kanë emigruar.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ndër shumë çështje që mund të sillte në këtë samit, zgjodhi të prezantojë këtë paketë, e cila synon të krijojë mundësi për të gjithë ata që kanë lënë tokat e tyre në zonat malore për një jetë më të mirë jashtë vendit.

Ai theksoi se malet në Shqipëri historikisht kanë qenë të izoluara nga zhvillimi dhe shpesh kanë shërbyer si vende strehimi për shqiptarët në kohë të vështira.

Sipas tij, sot ka ardhur një moment i ri, kur këto zona mund të bëhen pjesë e rëndësishme e burimeve të mirëqenies së vendit.

“Por sot ka ardhur dita e bekuar kur malet mund të bëhen edhe ato pjesë e burimeve të mirëqenies së shqiptarëve, sepse sot për herë të parë në historinë tonë, ne kemi dy gjëra që deri jo shumë vite më parë nuk i kishim. Kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria. Kemi botën që vjen përmes vizitorëve të shumtë që eksplorojnë edhe malet dhe kemi shqiptarët jashtë vendit që e shohin Shqipërinë si një destinacion tërheqës jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët”, u shpreh kryeministri.

Rama u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që zotërojnë toka apo shtëpi në zonat malore apo kodrinore, që t’i shfrytëzojnë ato përmes “Paketës së Maleve”, duke i kthyer në burime të qëndrueshme të ardhurash.

Ai garantoi se zhvillimi i turizmit në Shqipëri, i cili sipas tij tërheq miliona vizitorë çdo vit, krijon mundësi reale që investimet në këto zona të jenë fitimprurëse.

Sipas Ramës, të ardhurat nga këto investime mund të tejkalojnë ato që shumë emigrantë sigurojnë duke punuar jashtë vendit.

“Ajo çka Shqipëria e sotme, që tërheq 12 milionë turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë është, që nga ai burim i ri mirëqenie ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë se sa fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut”, deklaroi Rama.

Në vijim, kryeministri vuri theksin te rëndësia e një komuniteti global shqiptar të arsimuar, të lidhur dhe me ndikim, i cili mund të shërbejë si një urë lidhëse mes vendeve, kulturave dhe mundësive.

Ai nënvizoi se shqiptarët e diasporës, pavarësisht nëse vendosin të kthehen për të jetuar në Shqipëri apo të qëndrojnë jashtë, kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe tashmë kanë edhe më shumë mundësi për të përfituar duke bashkëpunuar me Shqipërinë.

“Dhe kjo e maleve vlen për të gjitha. Një komunitet global shqiptar, i arsimuar i lidhur, me ndikim dhe krenar, një komunitet që kupton Shqipërinë dhe botën, nj komunitet që mund të shërbejë si urë, jo vetëm mes vendeve, por mes ideve, kulturave, mundësive, është një komunitet, anëtarët e të cilit pavarësisht nëse vendosin të kthehen për të qëndruar në Shqipëri, apo duke qëndruar kudo ku janë i kthejnë sytë nga Shqipëri, kanë jo vetëm shumë për të bërë për Shqipërinë, por sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar me Shqipërinë“, tha ai më tej.

Rama e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme jo vetëm për faktin e mbledhjes së diasporës, por për forcimin e marrëdhënies mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer atë nga një lidhje emocionale në një angazhim konkret dhe strategjik për zhvillimin e Shqipërisë.

“Dita e sotme është e rëndësishme jo sepse jemi mbledhur, por sepse po e ushqejmë marrëdhënien tonë për për ushqyer sa më mirë Shqipërinë. Nga distanca në afërsi, nga kujtesa në angazhim, nga ndjenjat në strategji”, tha Rama.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights