Momenti në të cilin ndodhet Shqipëria, që për Kryeministrin Edi Rama është historik sa i përket anëtarësimit në BE, thotë se të gjithë duhet të jenë në lartësinë e duhur dhe të lënë mënjanë llogoret politike.
Në fjalën e tij në çeljen e fushatës elektorale të PS, Rama ftoi të gjithë qytetarët të bashkohen me Partinë Socialiste.
“Nga ky shesh që nuk ka flamuj të tjerë përveç flamurit më të bukur në botë dhe flamurit të ëndrrës më të bukur në botë, që të bëhemi bashkë njësoj si 5 gishtat e kësaj dore, për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit europian të Shqipërisë. Pikërisht në javën e fitores sonë që do mbyllet në këtë shesh nga vetë Europa, e cila në 16 Maj për herë të parë në histori do të ngrejë tendën nën hijen e profetit dhe në atë tendë do të ulen në një sofër të madhe të gjithë udhëheqësit e popujve të kontinentit demokratik europian. Prandaj le t’i lëmë këtë herë, të paktën llogoret partiake, le t’i harrojmë këtë herë fanelat e tifozllëkut partiak, le tëq ngrihemi këtë herë të gjithë së bashku në lartësinë e takimit me historinë që na ka ardhur në derë. Mos lejojmë kurrsesi që porta e hapur e shtëpisë së madhe të Europës së bashkuar të mbyllet për shkak të shpërqëndrimit tonë nga shënjestra e përcaktuar e fatit të Shqipërisë qysh kur ai burrë atje lart mbi kalë la për brezat profecinë e tij. Vetëm duke realizuar këtë profesi kombëtare, e cila është përkthyer në dhjetra qindra mijëra tekste të shkruara nga luftëtarët e mendimit shqip, për të cilën koha nuk pret dhe ndasi nuk pranon, ne do të jemi në lartësinë e duhur për historinë. Vetëm duke e çuar në vend atë amanet ne do të jemi të denjë për etërit që na dhanë emrin, alfabetin, flamurin.
Shumë nga ata që e kanë marrë peng këtë vend dhe e kanë kthyer me sytë nga Azia do të meritojnë ngazëllimin e tyre që më bukur se kudo tjetër shprehet me fjalët e pavdekshme të Gjergj Fishtës.
Besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe jo për ne dhe as për ju, por për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkohuni me shumicën tonë, besojini Shqipërisë 2030 në BE. Braktisini profetët e rremë, braktisini qëniet qesharake që predikojnë madhështira qesharake apo që ofrojnë barna popullore për hallet dhe problemet tuaja, të cilat mund t’i zgjidhim vetëm së bashku dhe vetëm të bashkuar për të qenë në lartësinë e historisë së Shqipërisë me Europën. Sot është koha për këtë besim të lartë”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.