Para bisedimeve për paqe në Stamboll, një tjetër sulm nga Rusia me raketa ndaj një objekti industrial pranë qytetit verilindor ukrainas Sumy. Të paktën tre persona u vranë sipas guvernatorit rajonal Oleh Hryhorov.
Në këtë video të publikuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, personeli i emergjencës u pa duke shuar zjarret dhe hequr mbeturinat në vendngjarje pas sulmit. Rajoni i Sumy, në kufirin verior të Ukrainës përballë rajonit Kursk të Rusisë, ka qenë shënjestër e sulmeve të përsëritura të Rusisë. Po këtu të Dielën e Palmave muajin e kaluar një sulm rus vrau 35 vetë.
Në frontin diplomatik, në bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Rusisë e Ukrianë, duket se do të mungojë presidenti rus Vladimir Putin e pas tij nuk do të vijë as presidenti i SHBA-së Donald Trump. Pas një heshtje të gjatë Kremlini dërgoi një grup teknokratësh me përvojë.
Në delegacion përfshihet këshilltari presidencial Vladimir Medinsky dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Alexander Fomin. Pas njoftimit të delegacionit, një zyrtar amerikan tha se Trump, nuk do të marrë pjesë. Udhëheqësi amerikan do t’u bashkohej bisedimeve në rast të pjesëmarrjes së Putinit.
Në Turqi mbërriti edhe sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, për të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s më 14-16 Maj për të diskutuar përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Vizita vjen ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin propozoi të dielën bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën.
Ndërsa Putini nuk e konfirmoi kurrë pjesëmarrjen, duket se mungesa e Presidentëve rusë dhe amerikanë ul pritjet për një përparim diplomatik dhe arritjen e armëpushimit 30 ditor.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e kishte sfiduar Putinin të merrte pjesë në bisedime “nëse nuk ka frikë”, në një garë për t’i treguar Trump se kush dëshiron më shumë paqen, Ukraina apo Rusia.
Presidenti ukrainas mbërriti në Turqi, por ai do të marrë pjesë në bisedime vetëm në rast të paraqitjes së Putinit.
Nga Presidenti Trump dhe aleatët europianë ka presion që të dy palët të nënshkruajnë një armëpushim 30-ditor për të ndaluar luftën. Vetë Zelensky mbështet armëpushimin, por Putini thotë se së pari dëshiron të fillojë bisedimet për detajet e një armëpushimi të tillë.