Partia Socialiste është shprehur e gatshme për të ndërmarrë hapat për ndryshime në Kushtetutë që do të lejonin mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me kreun e SPAK, Klodjan Braho, në komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, kryetari Ulsi Manja tha se kufizimi për rikandidimin duhet rishikuar, duke theksuar se përvoja e krijuar nga prokurorët e SPAK duhet të vlerësohet dhe të mos humbet.
Sipas tij, “Kushtetuta nuk është tabu” dhe mund të ndryshohet nëse ekziston vullnet politik. Manja shtoi se prokurorët e SPAK duhet të kenë të drejtën të rikandidojnë për një mandat të dytë, njësoj si pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë, duke theksuar se përkohshmëria e mandateve mund të ndikojë në cilësinë e hetimeve.
“Tek mandate ngrihet në çdo raportim vjetor të institucionit që ju drejtoni. Është ngritur çështja e një të drejtë për mua tërësisht të ligjshme, ajo e të drejtës për të rikandiduar për një mandat tjetër e secilit prej trupës së prokurorëve që ushtron veprimtarinë në SPAK. Sigurisht që është çështje reformë kushtetuese, duhet prekur Kushtetuta në këtë drejtim. Por nëse ka vullnet Kushtetuta nuk është tabu. Nuk është tabu sepse ne kemi ndërhyrë disa herë në kushtetutë, kemi ndërhyrë dhe për ligjin e dekriminalizimit.
“SPAK është organ kushtetues, ka jetëgjatësi si institucion. Përse gjyqtarët e gjykatës së Posaçme I ushtrojnë funksionet pa kufizim në atë strukturë dhe i nënshtrohen masave disiplinore sipas ligjit për statusin e magjistratëve ndërsa prokurorëve të kësaj strukturë pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, i thuhet të largohen dhe nuk u lejohet të rikandidojnë. Kush dëshiron të rikandidojë në mbarim të mandatit le të mblidhet, duhet t’i shtrohet një procesi vlerësimi për t’u rizgjedhur.
“Ndaj unë u kërkoj edhe kolegëve të opozitës, sepse kjo kërkon edhe iniciativë politike. Nëse kërkojmë shumë prej kësaj strukture duhet t’u japim edhe garancinë e nevojshme për të punuar për atë strukturë. Personalisht ndaj këtë mendim, ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e prokurorëve e cenon cilësinë e hetimit. Bashkojmë votat, ndryshojmë kushtetutën dhe të heqim kufizimin për mandatin. Bashkë e kemi votuar ligjin aktual, 140 vota. T’i thua jam kundër zgjatjes së mandatit”, tha Manja.
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës Gent Strazimiri dhe Oerd Bylykbashi kundërshtuan propozimin. Sipas tyre, ligji aktual është miratuar me konsensus të plotë dhe se nuk parashikon rikandidimin. Bylykbashi tha gjithashtu se Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrime të ndryshme mbi këtë çështje.
