Bashkimi
Evropian tha të enjten se qeveria e Kosovës duhet të hedhë hapa shtesë për
uljen e tensioneve në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe se blloku
është i gatshëm të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk
ndërmerr veprime në këtë drejtim.
Duke
komentuar letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të
lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes
ndaj Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i bllokut Peter Stano, tha se politikën e
jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij.
Letra e
nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56
deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të
gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas
tensioneve në veri të Kosovës.
Zoti Stano
tha se qasja e Bashkimit Evropian është e paanshme.
“Ajo që kemi
bërë më së fundi në dritën e përshkallëzimeve që ndodhën është vendosja e disa
masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një
mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në
këtë drejtim”, tha zoti Stano duke theksuar se “nëse vendet anëtare kërkojnë
diçka të tillë ne do të vendosim masat e nevojshme edhe kundër Serbisë nëse pra
këto vende anëtare vlerësojnë se në kushtet dhe kontekstin aktual të krizës së
fundit Serbia nuk po bën asgjë për të ulur tensionet”, tha ai.
Tensionet u
rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të
Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të
muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një
marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë
vetëqeverisje.
Zëdhënësi
Stano nënvizoi sot se të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se
si Prishtina e Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në procesin e
rregullt të bisedimeve.
Pas një
pajtimi të arritur me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet
kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për
bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës tashmë ka
përgjysmuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri.