Lideri
koreano-verior, Kim Jong Un, e ka shkarkuar shefin e shtabit të përgjithshëm të
ushtrisë, Pak Su Li dhe ka bërë thirrje për rritje të përgatitjeve për luftë në
“mënyrë ofensive”, përfshirë rritjen e prodhimit të armëve dhe kryerjen e sa më
shumë stërvitjeve, ka raportuar media shtetërore të enjten.
Me një
cigare në dorë, Kim është parë duke folur në një dhomë plot me gjeneralë
ushtarakë, dhe duke bërë me gisht nëpër harta, teksa ka diskutuar “veprime të
mëdha ushtarake” kundër Koresë së Jugut, në një takim me Komisionin Qendror
Ushtarak.
Agjencia
shtetërore e lajmeve ka thënë se agjenda e takimit – i cili është mbajtur vetëm
disa ditë pasi Kim i ka inspektuar fabrikat kryesore të armëve – ka qenë rreth
përgatitjeve për luftë dhe që lideri verikorean të sigurohet se ekziston
“gatishmëri perfekte për të luftuar”.
Ky takim
zhvillohet teksa Seuli dhe Uashingtoni përgatiten për stërvitje të mëdha
ushtarake këtë muaj.
Këto
stërvitje Koreja Veriore i sheh si përgatitje për pushtim, andaj ka
paralajmëruar për hapa të jashtëzakonshëm si kundërpërgjigje.
“Kim Jong Un ka shfaqur tendencë për t’i
zëvendësuar zyrtarët kur ai beson se ata nuk kanë aftësi për t’i kryer
detyrat”, ka thënë Hulumtuesi Cheong Seong-chang i Institutit Sejong.
Konflikti, i
cili ka ndarë në dysh Gadishullin Korean, ka përfunduar më 1953, me një
armëpushim dhe jo traktat për paqe.
Të dyja
shtetet kanë qenë teknikisht në luftë prej atëherë, dhe shpesh janë përfshirë
në situata tensionuese.