Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti Begaj thekson se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
“Urime të përzemërta, Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë”, – shkruan Begaj.
Edi Rama
Kryeministri Edi Rama ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen e saj në krye të Shtetit të Kosovës.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Europën.
Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën, zonja Presidente”, shkruan Rama.
Ilir Meta:
Urimet më të përzemërta Prof. Justina Shiroka-Pula, akademikes së mirënjohur, për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentes së Kosovës.
Përgëzime të gjithë deputetëve që dëshmuan mbrëmë pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lartë politike për kapërcimin e një situate sfiduese për Kosovën.
Forcimi i institucioneve të Kosovës është në dobi të qytetarëve, të stabilitetit demokratik dhe të së ardhmes europiane të vendit.
Konsolidimi i demokracisë funksionale dhe avancimi i proceseve europianizuese duhet të mbeten një përpjekje e përbashkët, në funksion të një Kosove më demokratike dhe më të integruar në familjen europiane
Sali Berisha :
Zonja Justina Shiroka Pula zgjidhet Presidente e Republikës së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës zgjodhi mbrëmë zonjën Justina Shiroka Pula Presidente të Republikës së Kosovës. Zonja Justina Shiroka Pula është një akademike e shquar, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe ish-ministre në qeveri të mëparshme të Kosovës. Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i uroj Presidentes Shiroka Pula sukseset më të mëdha në misionin e saj në krye të Republikës së Kosovës.
Ferit Hoxha :
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, uroi Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar zgjedhjen e saj si dëshmi të pjekurisë demokratike. Hoxha theksoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në rrugën drejt integrimit europian dhe euroatlantik.