Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera gjatë operacioneve të zhvilluara në disa lokacione në Mitrovicë të Veriut.
Për më shumë informata në lidhje me këto zhvillime është paralajmëruar konferencë e jashtëzakonshme për media, e cila do të mbahet sot në orën 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
“Në këtë konferencë do të paraqiten detaje rreth operacioneve policore të realizuara në disa lokacione në Mitrovicë Veri, të cilat kanë të bëjnë me gjetjen dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante, të cilat do të ekspozohen për media”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në konferencë pritet të jepen informacione edhe për veprimet policore në kuadër të rastit “Krime lufte kundër popullatës civile”, të cilat po zhvillohen në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.
