Policia e Shtetit informon se është finalizuar operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga dy shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis sativa, në fshatin Kroni i Madh, ndërsa u procedua në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
