Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit, ku një 69-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka tentuar të djegë me benzinë bashkëshorten e tij 67-vjeçare.
Sipas informacioneve paraprake, autori, i cili ndodhej në gjendje të dehur, fillimisht ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, Minushe Danga. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin celular dhe në kulmin e konfliktit, dyshohet se e ka lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në banesën e çiftit të moshuar, të cilët jetonin vetëm, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Sipas të dhënave të para, dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme prej kohësh dhe viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit.
