Në parlament sot në 23 prill u zhvillua një debat i ashpër, në lidhje me kompaninë shtetërore KAJO, e cila pritet që të prodhojë produkte ushtarake për Shqipërinë.
Deputeti demokrat Klevis Balliu hodhi akuza të forta në parlament, në lidhje me këtë kompani. Sipas tij, në publik thuhet se kompania do shërbejë për prodhim armësh, por se në fakt pas saj, sipas tij, fshihet një skemë korrupsioni.
“KAJO është një kompani, e cila qartësi ka të bëjë me afera korruptive, që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit. Prsh KAJO ka bashkëpunuar me kompaninë TIMAK dhe me këtë kompani do krijonin kompaninë TIMAK Defence. 49 përqind e kësaj kompanie i shitet një personi, që quhet Ron Jefet. Ky është mik i Ramës, që bashkëpunon me biznesmenë rusë, që hetohet për afera korruptive në gjithë botën. Ky njeri blen 49 përqind të kësaj kompanie për 450 euro, kaq kushton një kompani që xhiron miliona euro. TIMAK Defence merr 10.5 milionë euro tender tek Ministria e Mbrojtjes. Një tjetër kompani tjetër është shitur me 35 milionë euro, që është kapital qesharak. Sulmuat dhe mediat”, akuzoi Balliu.
Menjëherë replikoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ai tha se kompanitë private që kanë bashkëpunuar me KAJO-n kanë histori suksesi dhe tha se nuk ka kurrfarë korrupsioni në këtë histori.
“KAJO do të krijojë dronë, municione dhe materiale për mbrojtjen. Nuk është një biznes i lehtë. Dhe në botë ka kompani private, që kanë kapitalin dhe angazhohen për të prodhuar materiale për industrinë ushtarake. Kjo është praktikë tërësisht transparente. Kompania shtetërore KAJO dhe kontrollori i saj është më vete. Shqipëria e ka njohur dhe më herët industrinë ushtarake, kemi prodhuar të gjitha pajiset dhe më herët gjatë historisë. Shoqëria KAJO prodhon së pari siguri. Do kemi linja prodhimi, do kemi armë për strukturat e sigurisë në Shqipëri. Ky është një model që aplikohet dhe në Europë e në botë. Shoqëria KAJO krijon siguri. Sot duhet të kemi linja prodhimi, që të kemi armë për strukturat e sigurisë në Shqipëri. Kompania TIMAK ka pasur një rrugëtim në prodhimin e ambulancave, zjarrfikëse, duke prodhuar dhe SHOTËN, me të cilën ne krenohemi.
Sot prodhojmë sisteme komplekse kundër dronëve, që të garantojmë sigurinë e Republikës. MKD është kompania tjetër, që ka linja prodhimi të fjalës së fundit. Sot teknologjia është e BE-së. Sot prodhimi mban vit prodhimi 2024-2025. Sa i përket 35 mijë euroshit, ligji parashikon që kapitali minimal për regjistrimin e një shoqërie është pikërisht 35 mijë euro. Sa i përket 450 mijë eurove, ata janë plan biznesi dhe kanë qenë kushte negocimi. Vendimi i VKM janë kriteret që do nisim negociatat. Nuk mund të më flasësh për PS-në mua këtu, e cila çdoherë ka pasur prioritet ushtrinë. Ju në kohën e juaj keni lënë njerëzit e mi pa punë pse ishin teknikë dhe e degraduat ushtrinë. Pronat në Babrru dhe në Shkozë janë të shtetit dhe është infrastrukturë ushtarake, që lejon prodhimin e municioneve.. PD që më 1991 e ka dëmtuar Forcën e Armatosur”, deklaroi Nufi.
