Përkeqësimi i motit në shtetin fqinjë ka sjellë dhe pasojat e saj, siç janë përmbytjet, kryesisht në dy ishuj të mëdhenj të Greqisë, në Paros dhe Mykonos, ku nga “bardhësia” që i karakterizon janë të zhytura tashmë nën baltë dhe ujëra në nivele të larta.
Naoussa dhe Kolymbithres janë dy vendet më të ndikuara nga përmbytjet, mbeturinat, balta dhe makinat e ‘fundosur’ nga ujërat, sipas medias greke Protothema, duke krijuar kështu një pamje katastrofike.
Sakaq, në Mykonos niveli i ujit e ka kaluar 1 metër, teksa shumë persona kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Greqia u përball me një situatë të pazakontë nga reshjet e dendura dhe stuhitë, duke i shndërruar rrugët e ishujve Egje në përrenj. Këto pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se si makinat merren përpara nga vërshimi i ujit, ndërsa bizneset janë përmbytur në Paros të Greqisë.
Me të njëjtën situatë po përballen edhe banorët e ishullit të njohur Mykonos.
Shërbimi i Mbrojtes Civile ka njoftuar qytetarët që të shmangin çdo lëvizje ndërsa janë ndaluar edhe lundrimet. Autoritetet janë në terren për situatën e krijuar duke përllogaritur dëmet e shkaktuara.
Metereologët njoftojnë se reshjet do të intensifikohen gjatë natës, ndërsa pritet një lehtësim i reshjeve mëgjesin e së Mërkurës.