Presidenti Bajram Begaj, kreu sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe vendosi një kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.
Kreu i Shtetit nderoi veprën e tyre sublime për atdheun, ndërsa përcolli një mesazh të veçantë për të rinjtë.
“Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre”, u shpreh Presidenti Begaj
Homazhe kryen edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ministra të qeverisë Rama.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 Maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në statusin e Dëshmorit të Atdheut përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.