“Altin Dumani kërkon të shndërrojë Kushtetutën në DumanKushtetutë!” kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pas daljes nga ambientet e SPAK.
Më tej, ai hodha akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka duke mbajtur një dokument në dorë, që sipas tij provon se ajo është dënuar për falsifikim nga Kolegji Penal i Janinës.
“Ju duhet të mësoni se njeriu që kryeson Gjykatën Speciale të shqiptarëve ishte një delinkuente e pafytyrë, e pamoral, e pa karakter, e dënuar me burg në vendet fqinje. Përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Irena me 5 mbiemra e përfolur për ryshfete gjysmë milionëshe, në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga Kolegji Penal i Janinës me burg dhe gjobë. Kjo monstër, në vend se të vuajë dënimet është lartësuar në Kryetaren e Gjykatës Speciale nga Rama, Balla dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani. Ky është dokumenti zyrtar, me vulë e firmë nga Gjykata e Janinës e Greqisë. Që tregon edhe shqip e greqisht, për këto arsye të pandehurën e shpall fajtore me burg 3 muaj dhe gjobë 1500 Euro. Për falsifikim! Pasaporta, viza… Është dënuar nga Kolegj Penal dhe jo Admnistrativ”
Foli edhe për një episod ku pretendon se ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kërkuar një çantë luksoze nga një emigrant.
“Është turpi i turpit të Ulsi Manjës, këtij ministri i cili në regjistrimet telefonike rezulton se përveç 500 mijë Eurove nga një emigrant, i kërkon edhe çantë Louis Vuitton. Dhe emigranti i thotë atë çantë për kë e do ti? Heh e dua për zonjën thotë! Jo, jo e do për tjetër kënd, po s’po hyj në intimitete se s’ka lezet. Janë në dosje, i kanë të gjithë këto. Pra kjo Irena, me 5 fytyra po asnjë njerëzore, kjo vesh togën e zezë për të mbuluar dënimin e saj. Dua të falenderoj autoritetet greke që e bënë publik këtë dokument”, deklaroi kryedemokrati.
Përtej këtyre, u pyet se pse zgjodhi të ishte më sportiv përgjatë kësaj fushate elektorale.
“Me këtë ndryshim klimatik, m’u imponua sportiviteti. Natyra është forcë madhore!”, u përgjigj kreu i PD-së.
Fjalën e tij para Prokurorisë së Posaçme e mbylli duke thënë se Gjoka bashkë me eksponentë të mazhorancës do mbajnë “turpin për çdo fshehje që kanë bërë”.
“E vërteta vonon, por nuk harron!”, përfundoi Berisha.