Kuvendi 1024x557

Dështoi për të 12-ën herë përpjekja për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Edhe në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë nuk u arrit dakordësia për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Mbledhja e radhës e deputetëve do të zhvillohet më 9 Maj, në orën 10:00.

Procesi ka ngecur prej disa javësh, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Partitë opozitare janë shprehur se e shohin atë si figurë përçarëse, por LVV-ja ngul këmbë se ajo është kandidate me meritë.

Ditët e fundit ka pasur disa lëvizje për zhbllokimin e ngërçit, por nuk është arritur asnjë marrëveshje.

LVV i kërkoi koalicion LDK-së, por kjo qartazi e refuzoi atë. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi qeveri tranzitore mes partive parlamentare.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.

Para nisjes së seancës, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se ka disa lëvizje nga seanca e kaluar, por pa dhënë më shumë hollësi. “Të shohim se si do të shkojnë gjërat sot në seancë. Ka disa lëvizje. Ka propozime dhe komunikime me letra”, tha shkurt Limaj teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj, si kreu i AAK-së, i preu mundësinë çdo takimi konsultativ për qeveri tranzicioni nëse në tavolinë do ishte edhe LVV. “Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, tha Haradinaj.

Ndërsa deputetët e Vetëvendosjes e kanë quajtur propozimin e Abdixhikut të kotë. Arbër Rexhaj tha se “në vend se të ecim përpara, ata propozojnë të shkojmë mbrapa”.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së e quajti “adoleshencë politike” propozimin e LDK-së. Ajo tha se Abdixhiku frikësohet të marrë vendime, qoftë për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë dhe se kështu “e ka lënë Kosovën prapa”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights