Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.
PDK njoftoi dje se i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
Këtij aksioni do t’i bashkohet edhe Aleanca.
Kështu bëri të ditur dje deputetja e kësaj partie Albana Bytyqi, e cila tha se do t’i bashkohen PDK’së në Kuvend, ndërsa kishte theksuar insistimin e partisë së saj që të themelohen institucionet.
“Çdo aktivitet që është thirrur nga çdo parti ne kemi qenë prezentë aty, por edhe nesër do të jemi aty patjetër”.
Afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar “kohë shtesë” për bisedime për Presidentin në seancën konstituive që u mbajt më 6 gusht e ku pritej të propozonte kryeparlamentarin e ri. Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në vazhdimin e seancës, e cila u mbajt jashtë afatit më 8 gusht. Kërkesa e tij u aprovua nga bashkëpartiaku i tij, kryesuesi i seancës Avni Dehari, i cili qe nga ajo ditë nuk ka thirrur më seancë.
Ambasadat e vendeve të huaja në vend iu kanë bërë thirrje liderëve politikë që t’i japin fund krizës politike në mes paralajmërimeve për humbjet e mundësive./Express/
