Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zhvilloi mbledhjen e tij konstituese, në të cilën u zgjodhën Kryetarja e Këshillit Kombëtar dhe 20 anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike.
Kryetare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u zgjodh Juliana Emiri. PD thekson se, për herë të parë në historinë e saj Këshilli Kombëtar do të drejtohet nga një grua, e ardhur nga shoqëria civile.
Në Kryesinë e re u zgjodhën Eda Grimci, Edith Harxhi, Florjana Garo, Ilda Zhulali, Lili Sula, Mimoza Hajdarmataj, Andia Ulliri, Desada Xhetani, Fatjon Bathorja, Glauk Olldashi, Lorenca Hoxha, Nikola Kedhi, Atird Hoxha, Dorjan Teliti, Ervin Minarolli, Fisnik Qosja, Gjin Gjoni, Grigels Muçollari, Ilir Alimehmeti dhe Keltis Kruja.
Sipas njoftimit të PD-së, me konstituimin e Kryesisë së re do të miratohen edhe përfaqësuesit e diasporës në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesinë e Partisë, në përputhje me ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin Kombëtar të 30 majit 2026.
Më tej, pritet të vijojë zgjedhja e organeve të tjera drejtuese të Partisë Demokratike, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, Sekretariatin dhe departamentet.
Në njoftim thuhet se përbërja e re e Këshillit Kombëtar pasqyron procesin e ripërtëritjes dhe hapjes së Partisë Demokratike.
Po ashtu, Partia Demokratike bën të ditur se 60% e anëtarëve të zgjedhur në Kryesi janë gra, vajza dhe të rinj nën moshën 35 vjeç, ndërsa 14 nga 20 anëtarët e zgjedhur janë për herë të parë pjesë e Kryesisë, duke reflektuar, sipas saj, angazhimin për hapje, qarkullim elitar dhe promovimin e brezit të ri të drejtuesve.
