Për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendimin që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, ka reaguar ish-presidentja Vjosa Osmani.
Vjosa Osmani, përmes një videomesazhi e ka cilësua gjendjen e krijuar si një moment të vështirë për vendin, por theksoi se populli i Kosovës ka ditur gjithmonë të ringrihet edhe nga situata shumë më të vështira, duke bërë thirrje për unitet dhe dashni.
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritet edhe nga momentet shumë më të rënda. Prandaj, ka ardhur momenti që të japim dashni dhe vetëm dashni për vendin tonë. Mjaft më me propagandë, mjaft më me urrejtje, mjaft më me përçarje dhe mjaft më me ndjellje të frikës”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se aty ku ka urrejtje duhet të mbizotërojë dashnia, ndërsa frika duhet të zëvendësohet me shpresë.
“Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm e vetëm dashni për njëri-tjetrin dhe për vendin. Aty ku ka frikë duhet të japim shpresë, e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, u shpreh ajo.
Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen, duke theksuar se padrejtësitë gjithmonë tejkalohen nga vullneti i popullit.
“Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision, sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”, ka thënë Osmani në videomesazh.
Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale, diku në qershor, më së voni, pasi Kuvendi i Republikës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, që përfundoi në minutën e fundit të 28 prillit.
