Tre persona janë arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Detajet”, pasi dyshohet se kishin planifikuar të kryenin një vrasje në zonën e Lezhës.
Sipas policisë, dy prej tyre, të armatosur dhe të pajisur me skafandra, lëviznin me një motomjet në rrugën e vjetër Pllanë-Lezhë, ndërsa personi i tretë do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit.
Operacioni u zhvillua pasi policia mori informacion për lëvizje të dyshimta të dy personave me skafandra në rrugën e vjetër Pllanë-Lezhë. Pas kontrolleve në zonë, shërbimet e policisë ndaluan në aksin Gjadër–Barbullush një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin tre të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi tre pistoleta me krehra dhe fishekë, si dhe motomjetin që dyshohet se do të përdorej për kryerjen e krimit, siç mund ta shihni në video.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
