Gjashtëmbëdhjetë persona, shumica nxënës, u plagosën sot nga të shtënat me armë zjarri në një lice teknik në provincën e Sanliurfës, në juglindje të Turqisë, njoftoi guvernatori lokal.
”Dymbëdhjetë prej të plagosurve po marrin aktualisht trajtim mjekësor”, deklaroi për mediet guvernatori Hasan Sildak, i cili vizitoi vendin e ngjarjes.
“Autori i sulmit, një ish-nxënës i shkollës i lindur në vitin 2007, më pas qëlloi ndaj vetes”, shtoi guvernatori.
Sipas televizionit publik TRT, që citon autoritetet lokale, në mesin e të plagosurve janë 10 nxënës dhe katër mësues, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.
Pamje të publikuara nga mediet lokale tregojnë nxënës që largohen me vrap nga shkolla, ndërsa jashtë saj janë vendosur forca të shumta policie, të paktën një mjet i blinduar dhe ambulanca.
”Fillimisht hapi zjarr në mënyrë të rastësishme në oborr dhe më pas brenda shkollës”, raportoi një dëshmitar.
Ngjarje të tilla janë relativisht të rralla në Turqi, ku megjithatë, sipas vlerësimeve të një fondacioni lokal, qarkullojnë dhjetëra miliona armë zjarri, shumica prej tyre në mënyrë të paligjshme.
