Biznesmeni i ndërtimit në Tiranë Gentian Sula, ka dëshmuar sot për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Posaçme. Sula është paraqitur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana të një procedimi penal të nisur nga SPAK-u. Sipas “Ora News” marrja e tij në pyetje ka qenë për banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Ky i fundit ka deklaruar se prej vitesh jeton në rezidencën “Kodra e Diellit”, që është pronë e Gentian Sulës. Në këtë ambient jetojnë edhe disa politikanë të rëndësishëm që janë nën mbikëqyrjen e SPAK-ut lidhur me hetimet e veçanta për pasuritë e tyre.
Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.
