Moska i ka akuzuar të mërkurën Poloninë dhe Finlandën për kërcënimin e sigurisë së saj dhe është zotuar se do të përgjigjet ndaj “kërcënimeve të shumta” në kufirin rus me Perëndimin nga anëtarët e NATO-s.
Polonia, fqinja dhe aleatja e patundur e Ukrainës, e ka forcuar sigurinë në kufirin e saj me Bjellorusinë, pasi Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të Wagner-it rus.
Finlanda, e cila e ndan një kufi të gjatë me Rusinë, iu bashkua NATO-s në prill në një ngjarje historike që u nxit nga lufta e Moskës në Ukrainë.
“Kërcënimet ndaj sigurisë ushtarake të Federatës ruse janë shumëfishuar në drejtimet strategjike perëndimore dhe veriperëndimore”, tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, në një takim me zyrtarët ushtarakë.
Ai e veçoi Poloninë, për të cilën tha se po “militarizohet” dhe se po përdoret nga Shtetet e Bashkuara “si një instrument i politikave anti-ruse”.
Varshava njoftoi të mërkurën se do t’i dërgojë edhe 2.000 trupa shtesë në kufirin e vet lindor, ku i ka vendosur tashmë 2.000 sosh.
Anëtarja e NATO-s tha javën e kaluar se helikopterët bjellorusë e kishin shkelur hapësirën e saj ajrore dhe paralajmëroi për provokime nga Bjellorusia.
Shoigu tha se trupat polake do të jenë “shumë pranë kufijve të Unionit”, duke iu referuar aleancës mes Moskës dhe Minskut.
Muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin tha se Moska do të përgjigjej ndaj çdo agresioni kundër Bjellorusisë “me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë”.
Shoigu tha, po ashtu, se “faktor serioz i destabilizimit është anëtarësimi i Finlandës në NATO, dhe në të ardhmen – i Suedisë”.
Kremlini ka thënë se anëtarësimi i Suedisë në NATO do ta rrezikonte sigurinë e Rusisë dhe se po planifikon kundërmasa.