Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kontrabandonin makineta të lojërave të fatit dhe i modifikonin me programe elektronike të paligjshme, për t’ua shitur më pas organizatorëve të lojërave të fatit.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni i koduar “Interceptimi” u finalizua pas një hetimi pesëmujor, të zhvilluar me metoda proaktive nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit A. S., 53 vjeç, dhe S. K., 67 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 53-vjeçari kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku, në bashkëpunim me 67-vjeçarin, kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje. Sipas policisë, pajisjet modifikoheshin përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, në bazë të kërkesave të personave dhe subjekteve të përfshira në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit u sekuestruan 25 makineta të llojit “slot machine”, katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
