Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta I cili ndodhet në paraburgim nën akuzë nga SPAK për 3 vepra penale të korrupsionit e pastrimit të parave, deklaroi sot përmes një mesazhi në rrjetet sociale se do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në listë të hapur dhe jonë listë të mbyllur siç kishte konfirmuar kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha për përfshirjen e Metës në listën e mbyllur të koalicionit.
Meta njoftoi se Kryesia e Partisë së Lirisë edhe pse e kishte propozuar fillimisht të ishte kandidat në listat e mbyllura, ka pranuar me kërkesën e tij që edhe pse “në kushte ekstreme izolimi”, siç u shpreh Meta, të jetë kandidat për deputet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.
“Partia e Lirisë (LSI) dhe Ilir Meta kanë qenë të parët për listat e hapura. Ilir Meta bashkë me disa kolegë hynë në grevë urie në vitin 2008 kundër ndryshimeve kushtetuese, që sollën listat e mbyllura dhe vranë parlamentarizmin e vërtetë”, u shpreh Meta.
Sipas tij, në vitin 2005 edhe pse kishte mundësinë të dilte deputet nëpërmjet sistemit proporcional, ai bëri një akt të rëndësishëm politik duke e vendosur veten vetëm në mazhoritar sepse për mua, u shpreh Meta, “më i rëndësishëm ishte zhbllokimi i procesit europian të vendit se sa thjesht garantimi i një mandati deputeti”.
“Unë nuk krijova parti për t’u bërë deputet por për të garantuar rotacionin politik dhe për të zhbllokuar integrimin europian të vendit. Edhe sot, për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe e panë rrëmbimin tim kriminal dhe që e dinë se ku ndodhem, u them se pavarësisht se jam në kushte ekstreme izolimi është detyra ime të udhëheq Partinë e Lirisë me shembullin tim dhe të luftoj me të gjithë fuqitë e mia për t’u treguar të gjithëve se kjo është një betejë që në radhë të parë kërkon sakrifica ekstreme për t’u fituar dhe jo llogari meskine afatshkurtra nga ata që mendojnë se politika është narativë apo perceptim”, vijoi Meta.
“Mafia nuk luftohet duke vegjetuar apo duke pritur dhurata nga qielli”, përfundoi Meta duke e cilësuar betejë historike atë të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.