Kancelari gjerman Friedrich Merz e konsideron aktualisht “pak të mundshme” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të furnizojnë Gjermaninë me raketat me rreze të mesme “Tomahawk”, të premtuara nga ish-presidenti Joe Biden në vitin 2024.
“Siç e shoh unë për momentin, në mënyrë objektive, ka shumë pak gjasa që SHBA-ja të furnizojë Gjermaninë, me sisteme të tilla armësh”, tha Merz për transmetuesin publik ARD.
“Nëse nuk gaboj, amerikanët aktualisht nuk kanë mjaftueshëm as për veten e tyre”, shtoi kancelari, duke theksuar se çështja është diskutuar prej disa muajsh “pa asnjë angazhim konkret nga SHBA-ja”.
Në samitin e NATO-s dy vite më parë, Biden i premtoi Gjermanisë se, për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, armë me rreze të mesme me koka konvencionale do të dislokoheshin në territorin gjerman si mjet parandalues, me aftësi goditëse deri në Rusi.
Ai kishte përmendur mundësinë e vendosjes së raketave lundruese “Tomahawk” me rreze deri në 2,500 kilometra, raketave SM-6 dhe armëve të reja hipersonike deri në vitin 2026.
Presidenti aktual, Donald Trump deri tani as nuk e ka mbështetur publikisht këtë vendim dhe as nuk e ka tërhequr atë.
Sipas medias amerikane, megjithatë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka hequr dorë nga planet, për të vendosur një njësi që do të operonte dhe mirëmbante këto raketa, si pjesë e reduktimit të planifikuar me rreth 5 000 trupa amerikane në Gjermani.
