Debati mbi ecurinë e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u përqendrua sot te rendi i ditës dhe mënyra se si duhet të vijojë procesi i shqyrtimit të reformës, me mazhorancën dhe opozitën që paraqitën propozime të ndryshme për zhvillimin e mbledhjes.
Mazhoranca propozoi që në rendin e ditës të përfshihej prezantimi i raportit të ekspertëve të saj mbi veprimtarinë dhe gjetjet e procesit të shqyrtimit të Reformës Administrativo-Territoriale, prezantimi i raportit vlerësues të ekspertëve të opozitës mbi zbatimin e reformës së viteve 2014–2026, diskutimi mbi gjetjet dhe rekomandimet e të dy raporteve, si edhe përgatitja e raportit të komisionit për seancën plenare të Kuvendit.
Ndërkohë, opozita propozoi që mbledhja të fokusohej fillimisht në prezantimin e raporteve vlerësuese për Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, duke argumentuar se nuk mund të hartohen raporte apo konkluzione për reformën e re pa përfunduar dëgjesat publike, dëgjesat tematike dhe konsultimet me komunitetet. Gjithashtu, opozita kërkoi diskutimin për ecurinë e punës së komisionit dhe paraqitjen e një kërkese për shtyrjen e afatit të veprimtarisë së tij.
Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, tha se afati gjashtëmujor i komisionit përfundon me mbledhjen e sotme dhe se është e nevojshme që, përpara raportimit në Kuvend, të dëgjohen gjetjet e ekspertëve të të dyja palëve.
“Fatkeqësisht nuk u arrit që ekspertët të paraqisnin një raport të përbashkët, por tashmë janë depozituar dy raporte, një nga ekspertët e propozuar nga mazhoranca dhe një nga ekspertët e propozuar nga opozita. Mendoj se gjëja më e arsyeshme është t’i dëgjojmë të dy grupet e ekspertëve dhe më pas të diskutojmë për hapat e mëtejshëm të punës së komisionit”, u shpreh Mazniku.
Ai theksoi se dëgjimi i ekspertëve është i domosdoshëm, jo vetëm në respekt të punës së tyre, por edhe për t’i dhënë mundësi publikut të njihet me analizat dhe konkluzionet e tyre mbi aspektet territoriale, financiare dhe ato që lidhen me kompetencat e pushtetit vendor.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, kundërshtoi rendin e ditës të propozuar nga mazhoranca, duke argumentuar se komisioni duhet të respektojë projekt-kalendarin e miratuar në fillim të punës së tij.
“Ne kemi kërkuar të respektojmë vendimet që kemi marrë vetë dhe projekt-kalendarin e miratuar. Nuk mund të digjen etapat e këtij procesi dhe të flitet për konkluzione përfundimtare, ndërkohë që dëgjesat publike, dëgjesat tematike dhe konsultimet me komunitetet nuk kanë përfunduar ende”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, raporti që ekspertët e opozitës kanë përgatitur lidhet me vlerësimin e Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014 dhe duhet të shërbejë si bazë për përcaktimin e parimeve mbi të cilat do të ndërtohet reforma e re.
Boçi kërkoi gjithashtu shtyrjen e afatit të punës së komisionit, duke argumentuar se shumë nga fazat e parashikuara në projekt-kalendar nuk janë realizuar ende.
“Kemi përmbushur vetëm një pjesë të projekt-kalendarit. Jemi ende në fazën e dëgjesave dhe nuk mund të konsiderohet e mbyllur puna e komisionit. Për këtë arsye kërkojmë shtyrjen e afateve, në mënyrë që procesi të përfundojë sipas etapave të përcaktuara”, tha ai.
Gjatë mbledhjes, të dy bashkëkryetarët ranë dakord që çështja e rendit të ditës të diskutohej në komision, ndërsa debati u përqendrua në vijimin e procedurave për raportimin e punës së ekspertëve dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të Reformës Administrativo-Territoriale.
