Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të martë, 15 shtator, masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi çështja u rikthye për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca ka nisur që prej orës 9:30, Gjykata e Lartë duhet që të marrë vendimin duke arsyetuar nëse është proporcionale masa e sigurisë “arrest në burg” për Velijan, në raport me postin që ai ka si kryebashkiak.
Kushtetuesja vendosi t’ia rikthejë Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke argumentuar se duhet të jepen arsye më të qarta se përse nuk është e përshtatshme aplikimi i një mase tjetër më të butë, përveç arrestit në burg.
Procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të themelit.
Veliaj është i vetmi person në këtë proces ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij akuza për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.
Rishqyrtimi nga Gjykata e Lartë do të përcaktojë nëse masa aktuale e sigurisë do të mbetet në fuqi apo nëse do të zëvendësohet me një masë tjetër.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhet me masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025.
