Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, një nismë që synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian në fushën e tregut të shërbimeve.
Deputetja Anila Denaj, në cilësinë e nismëtares, theksoi se projektligji përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, duke krijuar një kuadër ligjor të harmonizuar që garanton lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve ndërkufitare.
Sipas saj, ligji mbështetet mbi parimet e mosdiskriminimit, proporcionalitetit dhe transparencës, duke synuar eliminimin e barrierave ligjore dhe administrative që kufizojnë aksesin në treg dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në sektorin e shërbimeve.
Projektligji, tha ajo, vendos një qasje të re ndaj liberalizimit të tregut, duke kufizuar ndërhyrjet administrative vetëm në rastet kur ato justifikohen nga interesa madhore publike.
Ai gjithashtu promovon trajtim të barabartë midis ofruesve vendas dhe atyre të Bashkimit Evropian, duke mundësuar ushtrimin e aktivitetit pa kërkesa të panevojshme për vendosje fizike.
Zv.ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, u shpreh se projektligji është pjesë e kuadrit të negociatave për Kapitullin 3, që lidhet me lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve, një nga katër liritë themelore të Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se nisma përafron direktivën 2006/123/KE për shërbimet në tregun e brendshëm dhe synon ndërtimin e një kuadri modern, transparent dhe konkurrues për sektorin.
Sipas saj, përvoja e zbatimit të ligjit ekzistues ka evidentuar boshllëqe, përfshirë mungesën e mbulimit të plotë të shërbimeve ndërkufitare, procedura të fragmentuara administrative dhe mungesë të bashkëpunimit të strukturuar me vendet e BE-së. Projektligji i ri adreson këto problematika, duke vendosur standarde të krahasueshme me ato evropiane.
Një nga risitë kryesore, tha Manjani, është vendosja e parimit “liria e vendosjes si rregull, autorizimi si përjashtim”, çka përbën një ndryshim thelbësor në filozofinë rregullatore.
“Aktivitetet e shërbimeve nuk do t’i nënshtrohen më autorizimit, përveç rasteve kur këto kërkesa janë jodiskriminuese, të justifikuara dhe proporcionale. Projektligji hap gjithashtu rrugën për ofrimin e shërbimeve ndërkufitare, duke lejuar për herë të parë operatorët e BE-së të ofrojnë përkohësisht shërbime në Shqipëri pa detyrim për regjistrim apo prani fizike. Ky mekanizëm parashikon edhe parimin e reciprocitetit për operatorët shqiptarë pas anëtarësimit në BE”, deklaroi Manjani.
Një tjetër element i rëndësishëm është eliminimi i praktikave diskriminuese, si kërkesat për shtetësi apo vendbanim, duke garantuar trajtim të barabartë dhe konkurrencë të ndershme në treg.
Në aspektin praktik, vijoi Manjani, projektligji parashikon thjeshtim dhe digjitalizim të procedurave përmes “pikës së vetme të kontaktit”, e cila do të ofrohet në platformën e-Albania.
Kjo do të mundësojë kryerjen e të gjitha procedurave administrative online, duke reduktuar barrën burokratike dhe rritur transparencën.
“Gjithashtu, forcohet mbrojtja e përfituesve të shërbimeve, përmes garantimit të aksesit në informacion të qartë dhe krijimit të mekanizmave efektivë për trajtimin e ankesave dhe mosmarrëveshjeve”, deklaroi Manjani.
Projektligji, i cili zëvendëson ligjin ekzistues të vitit 2016 për shkak të nevojës për ndryshime të thella, synon krijimin e një kuadri të ri horizontal që do të harmonizojë legjislacionin sektorial dhe do të nxisë zhvillimin e një tregu shërbimesh më konkurrues, transparent dhe të integruar me atë të Bashkimit Evropian.
