Ministri i Financave, Petrit Malaj, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott vizituan Degën Doganore Bllatë, ku inspektuan nga afër investimin e realizuar nga Mbretëria e Bashkuar për modernizimin e sistemeve të monitorimit dhe kontrollit në pikat kufitare shqiptare.
Gjatë vizitës, Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e sigurisë kufitare dhe modernizimin e administratës doganore.
“Ky është një investim i cili shtrihet në 11 pika doganore dhe kap një vlerë prej 1,6 milionë paundësh”, u shpreh ministri Malaj.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja theksoi se projekti ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kapaciteteve operacionale të administratës doganore.
“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si përfituese e këtij projekti, tashmë ka në dispozicion 121 kamera të reja me teknologji moderne, që na sigurojnë që të kontrollojmë në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha pikat tona kufitare. Çdo qytetar dhe çdo biznes që kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë do të ketë kontrollin e duhur, por do të shohë edhe shpejtësinë e duhur në këtë kontroll”, deklaroi Beja.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Abbott, vlerësoi rezultatet konkrete të bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, duke e cilësuar atë një model të suksesshëm partneriteti në funksion të sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.
“Ajo që kemi bërë, duke bashkëpunuar me doganat, është vërtet një shembull i bashkëpunimit shumë të ngushtë që ekziston tani mes dy vendeve tona për këto çështje. Kemi rezultate pozitive, bashkëpunim pozitiv dhe jam vërtet i kënaqur që kemi pasur mundësi të punojmë së bashku gjatë viteve të fundit për të arritur në këtë fazë”, u shpreh ambasadori Abbott.
Bashkëpunimi ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe institucioneve britanike, veçanërisht Home Office International Operations dhe HM Revenue & Customs (HMRC), ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e sistemeve të kontrollit kufitar dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e riskut.
Përmes këtij projekti janë instaluar sisteme moderne kamerash dhe leximi automatik i targave, të cilat kontribuojnë në parandalimin e trafiqeve të paligjshme, identifikimin e lëvizjeve me risk të lartë dhe goditjen e rasteve të transportit të parave të padeklaruara.
