Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka shkruar në Spitalin e Traumës për të vizituar efektivët që mbetën të lënduar nga përplasjet sot përpara Parlamentit gjatë protestave.
Për mediat, Lamallari tha se personat që kanë hedhur gurë e sende të tjera drejt Policisë së Shtetit janë identifikuar dhe se do të japin llogari përpara drejtësisë.
“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.
Ministri i Brendshëm ka bërë gjithashtu dhe një reagim në rrjete sociale teksa dënoi dhunën e ushtruar drejt efektivëve të policisë, duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.
Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë.
Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit”, tha Lamallari.
