Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 17:00 seancën plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa projektvendime që lidhen me funksionimin dhe përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.
Në pjesën e parë të seancës, deputetët do të shqyrtojnë projektvendimin “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Më tej, në rendin e ditës parashikohet shqyrtimi i projektvendimit “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, si dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Në vijim, Kuvendi do të zhvillojë diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.
Koha e debatit, e cila nuk i kalon 4 orë, është e ndarë mes grupeve parlamentare dhe deputetëve jashtë grupeve parlamentare.
Sipas ndarjes së miratuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka në dispozicion 142 minuta, grupi parlamentar i Partisë Demokratike 60 minuta, ndërsa Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë nga 12 minuta secila. Deputetët jashtë grupeve parlamentare kanë gjithsej 16 minuta, të ndarë në mënyrë të barabartë.
