Bota katolike është në zi! Papa Françesku u shua në moshën 88-vjeçare. Ai ishte i pari papë nga Amerika e Jugut dhe njëkohësisht i pari papë Jezuit.
Por kush ishte Papa Françesku?
Ai ishte i pari papë nga kontinenti i Amerikës së Jugut, pavarësisht se me origjine italiane, prindërit nga rajonet e Piemonte dhe Liguria. Ai shërbeu si klerik gjithë jetën e tij, si Jezuit, dhe njëkohësisht ishte i pari që mbërrinte në majën e hierarkisë nga ky urdhër religjioz.
Sikurse ka rrëfyer edhe vetë, në moshë fare të re, puna e tij e parë ishte pastrami në një fabrikë, më pas roje jashtë një lokali në një lagje problematike në Cordoba dhe ka patur edhe një të fejuar, para se të ndërmerrte rrugëtimin e tij në religjioz që pati zanafillën në vitin 1958.
Pas rikthimit në atdhe, ngjitja e tij vijoi, deri në vitin 1997 që u emërua Arqipeshkv i Buenos Aires e një vit më pas, i Argjentinës.
Gjatë viteve të diktaturës ushtarake në Argjentinë, Bergoglio ndihmoi kundërshtarët e regjimit.
Bergoglio ishte i pari Papë që zgjodhi emrin Françesku pas 11 shekujsh. Gjatë një bisede me gazetarët, shpjegoi arsyet e zgjedhjes së këtij emri që askush nga paraardhësit nuk e kishte patur.
Ai shpjegoi se emri papal i erdhi në mendje në momentin që u zgjodh Papë, pasi kardinali Claudio Hummes e kishte përgëzuar menjëherë dhe i kishte thënë: Mos harro të varfrit! Ai shpjegoi se ajo fjali i mbeti në mendje dhe në lidhje me të varfrit, kishte menduar menjëherë për Francesco D’Assisi, njeriu i të varfërve, i paqes, njeriu që deshi dhe mbrojti krijesat dhe krijimin. Dhe e zgjodhi sepse Françesku është emblemë e mbrojtjes së të varfërve dhe shenjti mbrojtës i Italisë.
Gjatë Papatit, Françesku ndërmori një sërë reformash, ndër to edhe Kodin Penal të Vatikanit, ku përafroi dënimet me ato të ligjeve ndërkombëtare. Gjithashtu reformoi sistemin ekonomik të Selisë së Shenjtë, ashpërsoi ligjet e korrupsionit dhe krimet kundër të miturve duke i dënuar ashpër, edhe skandalet që kishin përfshirë me herët Kishën Katolike.
Gjatë Papatit të tij vizitoi 66 vende të botës, me 47 udhëtime episkopale dhe udhëtimi i parë i tij në Evropë si Papë ka qenë pikërisht në Shqipëri në 21 Shtator 2014.
Ky udhëtim i la mbresa të jashtëzakonshme, pasi takoi dhe dëgjoi rrëfimet e klerikëve që kishin vuajtur në kohën e diktaturës komuniste.
Papa Françesku qëndroi në krye të Selisë së Shenjte, me ide të forta, u shpreh shpeshherë kundër ideologjisë “Gender”, që e etiketoi “të rrezikshme, anulon diferencat dhe rreziku më i shëmtuar i epokës sonë”. Ka përdorur shpesh konceptin “popull”, jo pa një domethënie. Më këtë shprehi i drejtohej jo vetëm besimtarëve katolikë, por përgjithësoi dhe solli me pranë të gjithë komunitetet, duke nisur nga bërthama, familja, për të e shenjtë.
Mbi të gjitha, ndjekur edhe nga motoja e tij “Një Kishë e të varfërve për të varfrit”, në respekt te dinjitetit njerëzor, respektit human dhe vlerave të dashurisë, mirësisë e mëshirës.