Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të mërkurën në mbrëmje, 8 korrik, se Bashkimi Europian ka miratuar projekte dhe grante të kërkuara nga Kosova, me një vlerë totale prej 206 milionë eurosh.
Në një postim në Facebook, Kurti bëri të ditur se BE-ja e ka njoftuar zyrtarisht Kosovën se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, me një vlerë prej 180.5 milionë eurosh.
Sipas tij, janë miratuar gjithashtu edhe tri grante në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me një vlerë totale prej 25.9 milionë eurosh.
Megjithatë, para se Kosova të përfitojë këto fonde, nevojitet miratimi i tyre nga Komisioni Evropian, si dhe nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjes financiare nga Kuvendi i Kosovës.
Aktualisht, Kosova nuk ka një Kuvend funksional, por ai pritet të konstituohet në ditët në vijim, pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Fondet prej 180.5 milionë eurosh do të mbështesin fusha prioritare për Kosovën, si mbrojtja e mjedisit dhe klima, energjia, menaxhimi i kufijve dhe migracioni, konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi, qeverisja e mirë, përafrimi me Bashkimin Evropian, si dhe sundimi i ligjit.
“Rreth gjysma e fondeve do të investohen në projekte infrastrukturore. Shumica e tyre do të realizohen në bashkëpunim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet tona”, u shpreh Kurti.
Sa i përket tri granteve të WBIF-së, me vlerë totale 25.9 milionë euro, ato do të financojnë investime në hidrosistemin Ibër-Lepenc, segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kosova ka nisur të përfitojë nga fondet e Bashkimit Europian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) që nga viti 2007. Deri në fund të vitit 2022, vendi ka përfituar gjithsej 1.21 miliardë euro përmes programeve IPA I dhe IPA II.
