Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot shkarkimin e Evis Salës nga detyra e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe emërimin e Klodiana Spahiut në krye të këtij dikasteri.
Dekreti i Presidentit i hap rrugë procedurës parlamentare për miratimin e ministres së re. Emri i Klodiana Spahiut pritet të votohet në seancën plenare të Kuvendit, ndërsa pas miratimit ajo duhet të bëjë betimin përpara Presidentit për të marrë zyrtarisht detyrën.
Klodiana Spahiu u propozua për postin e ministres së Shëndetësisë nga kryeministri Edi Rama, pas dorëheqjes së Evis Salës. Sala kishte njoftuar largimin nga detyra më 2 shtator, duke deklaruar se kishte pranuar angazhime ndërkombëtare në fushën e onkologjisë.
Spahiu është deputete e Partisë Socialiste dhe ka qenë pjesë e Kuvendit prej vitit 2009. Para angazhimit të saj politik, ajo ka ushtruar profesionin e mjekes kardiologe, ndërsa ka mbajtur edhe drejtimin e Spitalit të Durrësit.
Emërimi i saj në qeveri pritet të sjellë gjithashtu ndryshime në përbërjen e drejtimit të Kuvendit, pasi Spahiu mban aktualisht postin e nënkryetares së Kuvendit. Për këtë pozicion pritet të propozohet një tjetër emër nga mazhoranca.


