Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zhvilloi sot seancën publike ku shqyrtoi kërkesën për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e ndryshimeve në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
KQZ vendosi miratimin e fletës tip për mbledhjen e nënshkrimeve të zgjedhësve.
Sipas vendimit, mbledhja e nënshkrimeve do të zhvillohet nga hyrja në fuqi e vendimit deri më 31 mars 2027. Procesi do të pezullohet gjatë periudhës së ndaluar nga Kodi Zgjedhor, nga 1 dhjetori deri më 31 dhjetor 2026.
Në të njëjtën seancë, KQZ plotësoi edhe vakancat në pesë këshilla bashkiakë.
Në Këshillin e Bashkisë Pukë u mandatua Ervin Cenaj, nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate. Në Këshillin e Bashkisë Devoll u mandatua Elona Limka, nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në Këshillin e Bashkisë Mallakastër u mandatua Erlinda Jaupaj, nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, ndërsa në Këshillin e Bashkisë Krujë u mandatua Hamit Stema, nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate.
Vakanca u plotësua edhe në Këshillin e Bashkisë Patos, ku u mandatua Elsida Kalemi, nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
