Deputeti i PD, Belind Këlliçi solli në vëmendje deklaratën e kryeministrit Edi Rama kur u shpreh se ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj nuk ka shtëpi e as makinë dhe se jetonte me qira.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se Rama doli garant për pafajësinë e Mirlinda Karçanajt dhe se tani është momenti që ai të mbajë përgjegjësi.
Reagimi
Doli garant për ndershmërinë e drejtoreshës, a do mbajë sot përgjegjësi Edi Rama?!
Edi Rama doli garant publikisht për ndershmërinë dhe pafajësinë e drejtoreshës së AKSH-it, duke i bërë edhe presion drejtësisë. Ai ofroi dhe prova, kur tha se Karçanaj nuk ka shtëpi e as makinë.
Dje zyrtarisht, SPAK ka bërë të ditur se ka bllokuar 3 prona që i përkasin drejtoreshës së Edi Ramës, në zonat më të shtrenjta në Tiranë e në bregdet, llogari bankare dhe asete të tjera. Padyshim, këto janë ato çka ka arritur të konfirmojë hetimi, me siguri ka dhe të tjera.
40 milionë euro në total, përfshirë dhe Agasin, Beqirin e Hoxhën, për aktivitetin e tyre kriminal që lidhet me AKSH-in, cilësuar si kopshti personal i Ramës dhe familjes së tij.
SPAK bën të ditur se rryshfetet merreshin në euro me prerje nga 100 në 500, të futura në kuti vere.
Edi Rama po të kishte minimumin e dinjitetit dhe po të mbante sado pak përgjegjësi, duhej të jepte sot dorëheqjen.
Jo vetëm pse ai është në krye të gjithë këtij korrupsioni, pasi ai është krijuesi. Por qoftë dhe për deklaratat e qëndrimet që ka mbajtur para qytetarëve, lidhur me drejtoreshën Karçanaj.
Ka konsumuar një mashtrim publik me qëllim. Më shumë se një vepër penale, kjo është një shkelje e rënde etike dhe morale dhe normalisht politikanët dhe udhëheqësit mbajnë përgjegjësi. Dhe largimi është e vetmja mënyrë për të korigjuar dëmin në raste të tilla.
Sigurisht, edhe sot kur është vërtetuar gënjeshtra e tij, Edi Rama nuk do të mbajë përgjegjësi. Ai me siguri do jetë duke u marrë me një aferë tjetër.
Por mbrojtësi më i madh i korrupsionit në historinë tonë, herë me votë në Kuvend e herë me deklarata e kërcënime publike, nuk do ta ketë të gjatë.
Me këtë sfidë që po i bën shoqërisë e shqiptarëve thjesht po e bën më të dhimbshëm largimin e tij.
