Agjencia e Inteligjencës së Brendshme gjermane e ka klasifikuar zyrtarisht partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si një “organizatë ekstremiste”.
Sipas agjencisë kjo parti kërcënon demokracinë, një veprim që i mundëson asaj të monitorojë më mirë partinë që doli e dyta në zgjedhjet federale të Shkurtit.
Statusi duhet ta bëjë më të lehtë për autoritetet që të përdorin metoda sekrete për të monitoruar partinë, për shembull duke rekrutuar informatorë konfidencialë dhe duke përgjuar komunikimet. “Koncepti i bazuar në etni dhe prejardhje i njerëzve që mbizotëron brenda partisë nuk është i pajtueshëm me rendin e lirë demokratik”, tha Agjencia e Inteligjencës vendase në një deklaratë.