Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka miratuar në parim projektvendimin për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Republikën e Polonisë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja Delina Ibrahimaj, e cila tha se kjo marrëveshje e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria në këtë fushë, ku 11 prej tyre janë me vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas ministres, kjo politikë është intensifikuar nga qeveria shqiptare me synim mbrojtjen e të drejtave të punës dhe garantimin e përfitimeve sociale për qytetarët që kanë punuar në Shqipëri dhe jashtë saj.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sot kaloi një projektvendim, i cili është në fakt shumë i rëndësishëm. Është një miratim në parim i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore me Republikën e Sllovenisë, e cila e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë në 17, ku, bashkë me marrëveshjen që po firmosim me Slloveninë, janë 11 marrëveshje, të cilat janë firmosur me vende të Evropës. Dua t’ju kujtoj këtu që kjo është një politikë që prej disa vitesh ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund t’i marrë në të ardhmen, pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër.
Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur. Ne, siç e dini, gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë, që është më e rëndësishmja, pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë. Deri tani janë 20 mijë shqiptarë që kanë përfituar nga marrëveshjet që kemi firmosur për njohjen e viteve të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ndaj jemi duke vazhduar me intensitet të lartë.Janë katër marrëveshje të tjera që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave, që do t’i sjellim për t’i miratuar dhe firmosur.
Përfitimet e marrëveshjes së pensioneve Shqipëri-Itali
Sipas shifrave zyrtare, janë rreth 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë talianë të cilët do të jenë përfitues të pensioneve në Itali dhe Shqipëri, të cilët do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu.
Shqipëria dhe Italia nënshkruan më 6 shkurt të vitit 2024 marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes dy shteteve, dhe në qershor të 2025, ka nisur zbatimi i saj në praktikë.
