Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit po mbahen homazhe në nder të aktores Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, një ikonë e kinematografisë shqiptare.
Aktorja Tinka Kurti foli shkurtimisht për media duke u shprehur se Xhepa ishte shoqe e mikeshë, e se ndjen dhimbje të madhe.
“E kisha vajzë, shoqe, e kisha mikeshë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, unë jam më e madhe se ajo. Duhet të hesht, ka dhimbje të madhe shumë”, tha ajo.
Homazhet po mbahen në Teatrin e Operës dhe Baletit që prej orës 10:00, e pritet të përfundojnë më 13:00. Aty kanë marrë pjesë familjarë të aktores së madhe, kolegë dhe figura të larta politike e kulturore.
Aktori i njohur, Timo Flloko, mori pjesë gjithashtu në homazhet për nderim të ikonës së kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa.
Me fjalë zemre Flloko tha se çdo komb krenohet dhe ndihet me fat që ka një artiste si Margarita Xhepa.
“Margarita Xhepa, si një ikonë që jetoi gjatë, 91 vite, erdhi në prill, e iku në prill, në kohën e shpërthimit të luleve, të jetës, të shpresës. Çdo komb me një artiste të madhe si Margarita Xhepa ndihet fatlum e krenar njeherësh. Ajo me mendimin tim është aktorja më jetëgjatë në krijimet speciale në hapësirën krijuese dhe që I mbiejtoi situatave, sikur e kishte mision për të jetuar jetn gjatë për të bërë sa më shumë role. Ndaj dhe ajo mbretëroi me kurorën, me brilante të artistës së madhe shqiptare dhe në fakt sic them margaritë, margaritare.”, tha ai për mediat.
Aktorja e njohur Luiza Xhuvani e pranishme në homazhet në nder të ikonës së kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa u shpreh se kjo e fundit krijoi imazhin e gruas në të gjitha dimensionet.
Xhuvani theksoi se ndihet e privilegjuar që ka pasur fatin të rrugëtojë me Margarita Xhepën përgjatë jetës edhe profesionalisht.
“I gjithë rrugëtimi i adhurueshëm profesional i saj. Krijoi imazhin e gruas në të gjitha dimensionet, si vajzë, si nënë, si motër, si kolege. Unë jam e privilegjuar që kam pasur fatin të rrugëtoj me të edhe profesionalisht. Rrugëtim i adhurueshëm. Nga eksperiencat më të bukura të bashkëpunimit me Margaritën”, shprehet aktorja Luiza Xhuvani.