Ajo që supozohej të ishte një luftë tregtare historike e nisur nga Presidenti i SHBA Donald Trump kundër një sërë vendesh, tani për tani është ngushtuar në një objektiv të veçantë, Kinën.
Trump njoftoi të mërkurën një pauzë tre-mujore për të gjitha tarifat “reciproke” që kishin hyrë në fuqi. Por Kina nuk tregoi asnjë tërheqje nga kjo luftë tregtare duke përmbushur zotimin e saj për tarifa hakmarrëse.
Tarifat hakmarrëse të Kinës prej 84% për të gjitha importet amerikane hynë në fuqi, me qeverinë që përsëriti se nuk do të tërhiqet. Gjatë një jave, tarifat e Trump për importet kineze janë rritur nga 54% në 104% dhe tani në 125%.
Këto tarifa kineze do të kenë një ndikim të madh në kompanitë bujqësore amerikane, të cilat e konsiderojnë Kinën si tregun e tyre më të madh të eksportit.
Pavarësisht nga lufta tregtare Donald Trump lavdëroi Presidentin kinez Xi Jinping ndërsa foli me gazetarët në Zyrën Ovale mbrëmë.
“Xi Jinping është një djalë i zgjuar dhe ne do të përfundojmë duke bërë një marrëveshje shumë të mirë”, tha Trump për presidentin kinez, duke shtuar se homologu i tij është një nga njerëzit më të zgjuar në botë.
Trump duket se e lidhi vendimin e tij për të mos i dhënë Kinës të njëjtën afat si kombet e tjera. Por pikëpamja nga Pekini duket krejtësisht ndryshe. Udhëheqësi kinez Xi Jinping, lideri më i fuqishëm i Kinës në dekada, nuk sheh asnjë mundësi që vendi i tij thjesht të kapitullojë ndaj asaj që e quan “shantazh i njëanshëm” i Amerikës.
Ky vendim i Trump për një pauzë 90 ditore, bëri gjë në tregjet aziatike dhe Europë të rriten pas ditësh të tëra humbjesh drastike. Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent pohoi se tërheqja vjen për të sjellë vendet në tryezën e bisedimeve.
Disa vende kanë bërë disa përparime në arritjen e një marrëveshje me Uashingtonin duke përfshirë këtu Vietnamin që ka bërë të ditur se SHBA ka rënë dakord të nisë negociatat.
Një reagim për të shtyrjen e tarifave vjen edhe Bashkimi Europian. Nëpërmjet një deklarate, Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, mirëpriti vendimin e Trump, ndërsa u shpreh se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj negociatave konstruktive me Shtetet e Bashkuara.
“Unë e mirëpres njoftimin e Presidentit Trump për ndalimin e tarifave reciproke. Është një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale. Tarifat do të dëmtojnë vetëm bizneset dhe konsumatorët. Kjo është arsyeja pse unë kam mbrojtur vazhdimisht një marrëveshje tarifore zero për zero midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara” u shpreh ajo.
Ndërkaq Goldman Sachs është tërhequr nga parashikimi i saj për recesionin në SHBA që bëri në fillim të kësaj jave. Gjiganti bankar i investimeve kishte parashikuar se kishte 65% mundësi që ekonomia amerikane të tkurej këtë vit por tani ka parashikuar se rreziku i një recesioni është në masën 45%.
Banka tjetër e investimeve, JPMorgan, tha se do të “rishqyrtojë” parashikimin e saj gjatë ditëve të ardhshme, duke thënë se rreziku i recesionit të SHBA ende mbetet.