Një zjarr i madh pyjor në rajonin turistik Halkidiki në veri të Greqisë i detyroi banorët të evakuohen, raportuan të enjten mediat lokale.
Urdhër për evakuim u dha për vendbanimet Siviri dhe Fourka, ndërsa zjarri po përhapet jashtë kontrollit, raportoi transmetuesi publik ERT.
Zjarrfikësit grekë, të mbështetur nga kolegët e tyre moldavë dhe të ndihmuar nga avionë dhe helikopterë zjarrfikës, po luftojnë me flakët, sipas transmetuesit.
Stratos Gitsoudis, president i Shoqatës së Zjarrfikësve Pyjorë të Greqisë, i tha ERT-së se situata është serioze, pasi zjarri po përhapet me shpejtësi dhe po kërcënon vendbanime të tjera.
Zjarri u shkaktua nga një shkëndijë e krijuar nga një shtyllë elektrike që u rrëzua për shkak të erërave të forta në zonë, raportoi transmetuesi.
