Është arrestuar në Greqi i shumëkërkuari i drejtësisë, Ardian Ahmetaj, anëtar i grupit të Laert Haxhiut.
Prangosja e tij është bërë pas informacioneve që siguruan forcat e policisë shqiptare për vendodhjen e 51-vjeçarit.
Ahmetaj u prangos këtë të shtunë në Pire dhe mënjëherë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Gjykata e Fierit në vitin 2023 vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për vrasje me dashje kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia e shtetit në deklaratën për shtyp thotë se Ahmetaj dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Besnik Hidës, krim i ndodhur në Lushnje në 2019-ën.
Hetuesit mundën të mblidhnin provat dhe të akuzonin tre anëtarët e bandës: Ardian Ahmetaj, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbilin.
Besnik Hida, i cili merrej me tregtinë e makinave, u qëllua me disa plumba teksa ishte duke pirë kafe në lagjen Skënder Libohova.