Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka shpërndarë reagimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
“Një ulje e re nga një gjykatë turpëruese dhe e paturpshme, e cila e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang të dhunshëm”, shkruan Rama në reagimin e tij, me të cilën është dakordësuar edhe Grenell duke e publikuar edhe në profilin e tij të rrjetit social “X”.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi u nda nga jeta më 16 Mars, vetëm 3 ditë pasi u vizitua nga djali i tij në ambientet e spitalit të Prishtinës.
Që nga Nëntori i vitit 2020, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.