Agjencia Shtetërore e Kadastrës zhvilloi për herë të parë në Tiranë konferencën rajonale me temë “Nga Prona drejt Progresit: Transformimi Dixhital dhe Integrimi Evropian i Ballkanit Perëndimor”. Një aktivitet i organizuar me mbështetjen e BE dhe Këshillit të Europës, që mblodhi përfaqësues të institucioneve kadastrale nga vendet e Ballkanit, delegacionin e Bashkimit Europian dhe partnerë ndërkombëtarë. I pranishëm në konferencë ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën hapëse, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, theksoi se transformimi digjital i kadastrës nuk është thjesht një proces teknologjik, por një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, sigurinë juridike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kur flasim për transformimin dixhital të kadastrës, nuk po flasim për teknologjinë për hir të teknologjisë. Po flasim për qytetarë që nuk kanë më nevojë të vënë në dyshim nëse të drejtat e tyre mbrohen. Për profesionistë që mund të aksesojnë të dhëna të besueshme pa vonesa. Për investitorë që mund të marrin vendime me besim. Po flasim për një shtet që mund të planifikojë territorin e tij, të menaxhojë burimet e tij dhe të qeverisë tokën mbi bazën e të dhënave të sakta dhe vendimeve të informuara, jo mbi përafërsi apo supozime. Kjo është vlera e vërtetë e transformimit kadastral”, tha Goxhobelli.
Në vijim të fjalës së saj ajo solli në vëmendje transformimin e jashtëzakonshëm ndër vite dhe rritjen e blerjes së pronave në Shqipëri nga jorezidentët, të cilat u rritën nga 15 për qind e të gjitha transaksioneve në gjysmën e parë të vitit 2025 në 25 për qind në gjysmën e dytë të vitit. Dhe 71% e këtyre blerësve janë qytetarë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkohë gjatë vitit 2025 investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në rreth 1.6 miliardë euro, ndërsa më shumë se një e treta e tyre u investuan në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Në fokus të fjalës së saj ishte edhe avancimi i shërbimeve digjitale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Sipas saj, aktualisht të gjitha shërbimet kadastrale në Shqipëri ofrohen online, ndërsa një pjesë e tyre janë tashmë plotësisht të automatizuara.
“Rreth 15% e aplikimeve të përditshme përpunohen automatikisht dhe në kohë reale. Gjithashtu, jemi pranë përfundimit të digjitalizimit të plotë të arkivës së pronave brenda këtij viti”, deklaroi ajo. Një tjetër objektiv madhor, sipas Goxhobellit, është përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave në të gjithë territorin e Shqipërisë deri në vitin 2027, duke sjellë njohje ligjore për prona që për vite kanë qenë jashtë sistemit zyrtar kadastral.
Goxhobelli ndaloi edhe te sfidat e së ardhmes, duke evidentuar se sistemet kadastrale duhet të përfshijnë gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale, inteligjencën gjeohapësinore dhe shërbimet në kohë reale.
“E ardhmja e sistemeve kadastrale do të përfshijë gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale, inteligjencën gjeohapësinore, shërbimet në kohë reale dhe regjistrat dixhitalë të integruar. Këto teknologji nuk janë më realitete teorike apo të largëta. Ato tashmë kanë filluar të ndryshojnë mënyrën se si punojmë. Por teknologjia do të krijojë vlerë reale vetëm nëse të dhënat bazë janë të besueshme, procedurat janë të qarta dhe institucionet janë të afta t’i menaxhojnë këto sisteme me integritet dhe efektivitet. Kjo është arsyeja pse prioritetet tona mbeten të pandryshuara: përfundimi i bazës dixhitale, përmirësimi i cilësisë së të dhënave, automatizimi aty ku është e mundur, investimi te njerëzit dhe harmonizimi i plotë me standardet evropiane. Sepse qëllimi i vërtetë i këtij transformimi është të ndërtojë sisteme të cilave qytetarët mund t’u besojnë dhe mbi të cilat brezat e ardhshëm mund të mbështeten”, u shpreh drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli teksa e cilësoi konferencën si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve të rajonit dhe forcimin e bashkëpunimit drejt standardeve europiane në administrimin e pronës.
