Pas një debati të gjatë midis Komisionit Evropian dhe The New York Times mbi transparencën në lidhje me kontratat e vaksinës Pfizer kundër COVID-19 drejtësia ka thënë fjalën e saj.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë në vendimin e saj sqaron se Komisioni nuk ka dhënë asnjë shpjegim të besueshëm për të justifikuar mungesën e dokumenteve të kërkuara nga gazeta amerikane.
Sipas Gjykatës, ky institucion nuk mund të pretendojë thjesht se nuk i zotëron dokumentet e kërkuara, por duhet të ofrojë shpjegime të besueshme që i mundësojnë si publikut ashtu edhe Gjykatës të kuptojnë pse këto dokumente nuk mund të gjenden.
Gazeta amerikane, The NewYork Times, kishte paraqitur prova që tregonin ekzistencën e mesazheve me tekst midis Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe Drejtorit Ekzekutiv të Pfizer në lidhje me kontratat e vaksinave kundër COVID-19.
Gazeta New York Times thotë se mesazhet midis 1 Janarit 2021 dhe 11 Majit 2022, në kulmin e pandemisë, mund të hedhin dritë mbi marrëveshjet miliardë Euroshe për vaksinat.
Pas përpjekjeve të përsëritura të pasuksesshme për të patur akses në këto mesazhe, The New York Times ngriti një padi kundër ekzekutivit të BE-së në Janar 2023.
Komisioni Europian ka tani dy muaj kohë për të apeluar vendimin.