Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares të Elbasanit, Pajtime Fetahu, për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të lehtë, për arsye shëndetësore. Fetahu është akuzuar nga SPAK për lidhje me dy grupe kriminale, të vëllezërve Çopja dhe grupin e Suel Çelës, dhe për favorizimin e tyre. Ajo ka kërkuar ndryshimin e masës duke argumentuar se qëndrimi në qeli i rrezikon jetën, ndërkohë që për verifikimin e këtyre pretendimeve, gjykata ka caktuar dy ekspertë të mjekësisë ligjore.
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu mbahet në qelinë e paraburgimit që nga muaji nëntor i vitit 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK, lidhur me hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan, për të cilët dyshohet se i ka favorizuar dhe ka pasur komunikime me ta, të zbuluara përmes përgjimeve të platformës së koduar SKY ECC.
Fetahu u arrestua në korrik të vitit të kaluar, por më pas u vendos ndaj saj masa “arrest në shtëpi”. Në muajin janar të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e saj, duke konfirmuar masën e parë të vendosur nga Apeli i Posaçëm Antikorrupsion për “arrest në shtëpi”. Emri i Fetahut është përmendur edhe në operacionin “Plumbi i Artë 2” të SPAK, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste për grupe kriminale. Dyshohet se ish-gjyqtarja ka pasur lidhje të ngushta me vëllezërit Çopja dhe se u ka dhënë atyre informacione sekret të lidhura me procedurat gjyqësore.
Ajo akuzohet gjithashtu për korrupsion, pasi dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe ishte në pritje të një aparati celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”. Fetahu dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm disa ditë para se t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.