Fenomeni klimatik El Niño është rikthyer zyrtarisht, duke ngritur shqetësime të reja për një valë të mundshme temperaturash ekstreme në mbarë globin. Pas javësh paralajmërimesh nga komuniteti shkencor, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e Shteteve të Bashkuara, NOAA, ka konfirmuar se kushtet e këtij fenomeni tashmë janë zhvilluar në Oqeanin Paqësor.
Sipas ekspertëve, El Niño pritet të ndikojë ndjeshëm në klimën globale, duke rritur temperaturat mesatare, duke shtuar rrezikun e thatësirave, përmbytjeve dhe duke ushtruar presion mbi prodhimin ushqimor dhe ekonominë botërore. Parashikimet më të fundit sugjerojnë se fenomeni mund të evoluojë në një “super El Niño”, duke u renditur ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.
Shkencëtarët e NOAA-s kanë bërë të ditur se temperaturat e sipërfaqes së detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial janë rritur mbi nivelet normale. Në të njëjtën kohë, janë vërejtur ndryshime edhe në qarkullimin e erërave mbi oqean, një tregues se atmosfera po reagon ndaj ngrohjes së ujërave.
Në deklaratën e tyre, ekspertët theksojnë se: “Kushtet e El Niño-s janë zhvilluar gjatë muajit të fundit, siç dëshmohet nga temperaturat mbi mesataren e sipërfaqes së detit në Oqeanin Paqësor ekuatorial.”
Megjithatë, studiuesit bëjnë thirrje për kujdes në interpretimin e pasojave. Ata sqarojnë se jo çdo ngjarje e fortë e El Niño-s sjell domosdoshmërisht të njëjtat efekte në të gjitha rajonet e botës, por sa më intensiv të jetë fenomeni, aq më të larta bëhen gjasat për shfaqjen e ngjarjeve ekstreme klimatike.
Edhe United Nations ka paralajmëruar se muajt në vijim mund të jenë ndër më të nxehtit e regjistruar ndonjëherë. Kujtojmë se episodi i fundit i fortë i El Niño-s, gjatë viteve 2023-2024, kontribuoi ndjeshëm në temperaturat rekord globale dhe në një seri fenomenesh ekstreme të motit në shumë pjesë të planetit.
Ndërsa bota përballet me sfidat e ndryshimeve klimatike, rikthimi i El Niño-s konsiderohet një tjetër sinjal alarmi për ndikimet gjithnjë e më të dukshme të ngrohjes globale dhe nevojën për masa më të forta
